Thikat e Shqipërisë pas shpinës së Kosovës

XhildinhOz
3 min readJun 22, 2023

--

Nga Xhildinho Ozuni

Ajo çka po ndodh në veri të Kosovës ngjan më së shumti me një zallamahi separatiste. Individë të bandave naziste të importuar nga Beogradi dhe të indoktrinuar nga Moska po krijojnë një tymnajë lufte ndëretnike, duke gjetur pretekstin e 'largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës’ dhe krijimin e asosacionit të komunave serbe. Vuçiç gjeti terrenin që kërkonte në veri të Kosovës; e para, për t’u dalluar si një flamurtar i flaktë nacionalist në Serbi, i të ashtuquajturës "mbrojtjes së Kosovës dhe Metohisë" dhe e dyta, për të bërë gjënë që ai bën më mirë: propagandën dhe dezinformimin në arenën ndërkombëtare.

Vuçiçi krijoi një precedent të rrezikshëm me rrëmbimin dhe prangosjen e 3 efektivëve të policisë së Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke e risjellë edhe njëherë në mirazh kohën e babait të tij shpirtëror, kasapit të Ballkanit, Millosheviçit. Përveç se po mbahen në kushte çnjerëzore, thuhet se forcat serbe kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj 3 efektivëve të policisë së Kosovës.

Nëse në rastin e parë, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi vendosjen e rendit dhe ligjit dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, reagimi i ndërkombëtarëve ishte i menjëhershëm dhe agresiv, në këtë rast kur shteti serb kryen agresion të pastër brenda territorit të Kosovës, ndërkombëtarët bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh.

Por edhe më çoroditës ka qënë qëndrimi i Shqipërisë kah situatës së tensionuar në veri të Kosovës. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka ndjekur një linjë gati gati pro-serbe, duke e akuzuar indirekt Albin Kurtin si shkaktarin e gjithë çfarë po ndodh në Veri. Ditë më parë, Edi Rama ndërmori një vendim të shëmtuar, duke anulluar edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, si 'për t'i treguar Albin Kurtit, që e ka gabim të ushtrojë sovranitetin e Republikës së Kosovës në Veri'.

Në fakt, në gjithë qeverisjen e tij deri më tani, Edi Rama është politikani që u fry dhe fryu për nja dy vjet nacionalizmin mediatik të shqiptarëve. U vetëpërkëdhel kur serbët e akuzonin se qëndronte pas dronit në Beograd, madje u kënaq edhe më shumë kur pamja e banderolës së dronit - Autochthonous - u shfaq në murin e kryeministrisë. Sulmet e Beogradit ndaj tij apo edhe të Greqisë vetëm sa shërbyen në këtë drejtim. Tashmë në mandatin e tij të tretë qeverisës, Edi Rama po sillet si një "politikan kalibri", që përpiqet të merret me çështje të mëdha gjeopolitike dhe që pretendon se i ka zgjidhur të gjitha hallet e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit.

Pak kush mund të mendonte se në këtë situatë, Shqipëria do të sillej agresive ndaj Kosovës, ashtu sikurse ndërkombëtarët. E vërteta është se Shqipëria për Kosovën duhet të flasë gjithmonë me zemër dhe jo me gojë, duke lënë mënjanë diplomacinë dhe llogmat boshe të paqes. E vërteta është se serbët janë vrasës të mbi 15.000 shqiptarëve në Kosovë dhe e kanë strategji të përhershme shfarosjen e popullit shqiptar.

Duke kujtuar historinë e dhimbshme vite më parë, duke analizuar ngjarjet tragjike në Kosovë me realizëm; duke parashikuar me shpresë e besim të ardhmen, është e pamundur të mos ndikohet në rritjen e vetëdijes kombëtare tek çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Kosova është zemra e Shqipërisë, është plagë e hapur, e ngjyer me gjak dëshmorësh dhe kurrsesi nuk mund të trajtohet me dy standarte! Askush nuk mund ta ndajë Kosovën prej Shqipërisë e as Shqipërinë prej Kosove!

--

--

XhildinhOz

Freelancer writer in Albania. Writes about politics & history. Focus on Balkan geopolitics & protest movements.