Përdhosja e flamurit shqiptar në sy të të gjithëve

XhildinhOz
2 min readOct 12, 2024

--

Nga Xhildinho Ozuni

Perpos një loje të mërzitshme dhe pa kurrë fare interesi e motivimi për të luftuar të lojtarëve shqiptarë, ndeshja e djeshme mes Çekisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për "Ligën e Kombeve" prodhoi edhe një skenë të shëmtuar racizmi nga ana e tifozerisë çeke.

Koret raciste dhe provokuese të ultrasve çekë, pankartat "Kosova është Serbi" si dhe përdhosja e përçudnimi i flamurit shqiptar nuk shqetësoi askënd në 45 minuta lojë. Nuk u shqetësua as Sylvinho, as stafi i tij, as lojtarët, as arbitrat e as zyrtarët e FSHF, përkundrazi ndeshja iu dukej normale çdokujt teksa flamuri që përfaqësonte njërën nga skuadrat që po luante në fushë, ishte kthyer përmbys dhe me një shenjë X në mes nga tifozeria vendase.

Mbrëmë kombëtarja tregoi se i mungonte, jo vetëm interesi dhe movitimi për luajtur por dhe identiteti e dinjiteti kombëtar.

Nëse do të kishin bërë diçka mirë lojtarët dhe trajneri dje përpos humbjes së ndeshjes, do të ishte të linin fushën e lojës, që në fillim të takimit derisa të hiqeshin pankartat raciste, flamuri shqiptar me kokë poshtë dhe të ndaloheshin thirrjet diskriminuese ndaj shqiptarëve. Kjo do të ishte fitorja e dinjitetit!

Paçka se flamujt shqiptarë të përçudnuar nga tifozeria çeke u hoqën në fillim të pjesës së dytë, thirrjet, pankartat raciste dhe fyerjet ndaj shqiptarëve vazhduan të mbizotëronin deri në fund të ndeshjes.

Sporti dhe sidomos futbolli prej kohësh ushqen politikat ultra-nacionaliste. Indiferentizmi dhe mosreagimi ndaj këtyre politikave ushqejnë edhe më shumë ultranacionalizmin antishqiptar.

Heshtja e mbrëmshme e kombëtares kurrsesi nuk mund të justifikohet.

Federata Shqiptare e Futbollit (nën mjegullnajën e një bashkëpunimi sharlatan me Serbinë për të zhvilluar bashkarisht Europianin U-21) reagoi pas përfundimit të ndeshjes përmes një postimi të detyruar në Facebook, ku denoi përdhosjen e simboleve kombëtare dhe koret raciste nga tifozeria çeke, por kurrsesi nuk ndërmori veprimin për të ndërprerë menjëherë lojën, që në fillim të ndeshjes.

FSHF, prej kohësh është kthyer në një llukuni cubash, që duan me patjetër të zhvillojnë formate që provokojnë kombin shqiptar.

Shqipëria s'mund të zhvillojë një kompeticion europian futbolli bashkë me Serbinë sepse duke kujtuar historinë e dhimbshme vite më parë, duke analizuar ngjarjet tragjike në Kosovë me realizëm; duke parashikuar me shpresë e besim të ardhmen, është e pamundur të mos ndikohet në rritjen e vetëdijes kombëtare tek çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Kosova është zemra e Shqipërisë, është plagë e hapur, e ngjyer me gjak dëshmorësh dhe kurrsesi nuk mund të bashkëpunosh me kasapët e shqiptarëve, që kryen masakra të llahtarshme.

Askush nuk mund ta ndajë Kosovën prej Shqipërisë e as Shqipërinë prej Kosove!

--

--

XhildinhOz

Freelancer writer in Albania. Writes about politics & history. Focus on Balkan geopolitics & protest movements.