Kush nuk po e lejon ngritjen e një memoriali që përkujton masakrën greke ndaj shqiptarëve?

XhildinhOz
3 min readApr 4, 2021

--

Memoriali i Hormovës

Nga Xhildinho Ozuni

Ishte muaji prill i vitit të përgjakshëm 1914, kur fshati Hormovë i Tepelenës do të përjetonte një ndër masakrat më të kobshme, të ndërmarrë nga andartët shovinistë grekë; 217 burra e djem hormovitë do të masakroheshin në mënyrë çnjerëzore e tinzare në një kishë të fshatit fqinj Kodër. Me këtë masakër ndaj shqiptarëve, grekët ‘dhanë një mesazh’ si për të përmbushur qëllimet e tyre shoviniste të ‘Megalo-Idesë’, me frazën “Ja vdekje, ja Greqi” dhe për t’iu kundërvënë ndarjes së kufijve greko-shqiptarë të fiksuara përfundimisht nga Protokolli i Firences i vitit 1913. Për grekët ishte vetëm fillimi i krimeve të tyre barbare ndaj shqiptarëve, pasi fill pas kësaj ngjarjeje, i gjithë jugu i Shqipërisë u përfshi nën një terror të përgjakshëm dhe shkatërrimtar grek, gjëma e së cilës ndjehet edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se një shekull.

Paçka se sot duhet të jetë një kohë reflektimi dhe faljeje për ngjarje të tilla të llahtarshme(që shumë kombe e kanë bërë), shteti grek kurrë nuk është penduar dhe ka kërkuar falje për masakrat ndaj shqiptarëve, përkundrazi, sjellja prej një shteti ekspansionist kah territoreve të Shqipërisë zor se është zbehur. Ndikimi grek në jug të Shqipërisë është sot aq mbizotërues sa që ka përfshirjen në vendimmarrjet e pushtetit lokal dhe qëndror.

Muaj më parë, një grup atdhetarësh morën iniciativën për të ringritur pikërisht memorialin, që përkujton masakrën greke të Hormovës, i ndodhur në rrugën nacionale që të çon drejt qytetit të Këlcyrës. Memoriali i Hormovës është ngritur në vitin 1982, dhe prej dekadash është lënë në mëshirë të fatit nga autoritetet lokale të bashkisë Tepelenë. Kështu patriotët me në krye organizatorin z.Meçan Zotaj, ish-ushtar i UÇK, u konsultuan me banorët e fshatit Hormovë dhe hartuan një plan konkret e ambicioz për rikonstruksionin e memorialit edhe e paraqitën atë në instancat përkatëse të bashkisë Tepelenë. Ata bënë një thirrje në rrjetet sociale për mbledhjen e fondeve dhe bashkatdhetarët nga të gjitha trevat shqiptare e diaspora iu përgjigjën menjëherë thirrjes dhe bënë të mundur shumën, që duhej për të filluar sa më shpejt punimet. Pasi u morr vendimi në këshillin bashkiak për dhënien e lejes, filluan punimet dhe u duk se gjërat po ecnin në rrugën e duhur. Teksa memoriali po merrte formë, papritur zyrtarët e bashkisë Tepelenë lajmëruan organizatorët e memorialit të ndalonin menjëherë punimet. Arsyeja ishte sa kontradiktore aq edhe qesharake nga ana e bashkisë Tepelenë por iniciatori z.Meçan Zotaj, që ka marrë përsipër rikonstruksionin e memorialit ishte shumë i bindur se presioni grek kishte bllokuar punimet.

Projekti për rehabilitimin e memorialit të Hormovës

Prej disa burimeve, ai kishte mësuar se konsulli grek në Gjirokastër kishte mundur të ndërhynte për këtë çështje në bashkinë Tepelenë, për të mos lejuar ngritjen e këtij memoriali. Deklarata e tij tregon se sa thellë kanë hyrë qarqet greke në jug të Shqipërisë, sa që detyrojnë një institucion qeverisës shqiptar të pushtetit lokal të anulojë menjëherë vendimin në dëm të interesit kombëtar. Është e qartë se e gjitha bëhet për t’u mbuluar e vërteta historike, në një zonë që edhe sot gëlon nga dhimbjet e vuajtjet e para një shekulli. Memoriali, kurrsesi nuk kërkon hakmarrje, memoriali kërkon të shpluhurosë e përkujtojë historinë e së kaluarës të larë me gjak.

Por si është e mundur që një institucion shqiptar të lejojë ndërtimin e memorialit të ushtarëve grekë pak kilometra më tutje dhe të gjejë lloj-lloj justifikimi për të mos lejuar ngritjen e një memoriali për shqiptarët e masakruar nga andartët grekë?! Tradhëtia ka emër.

--

--

XhildinhOz

Freelancer writer in Albania. Writes about politics & history. Focus on Balkan geopolitics & protest movements.